Stafi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), përgjat kësaj jave, kanë vizituar shkollat e mesme të komunave të Kosovës, me ç’rast maturantët u informuan rreth programeve të studimit dhe mundësive të cilat i ofron UShAF.

Vizita e stafit u realizua pothuajse në të gjitha shkollat e komunave të Kosovës, ku maturantët u ndanë të kënaqur me informatat që morën rreth kushteve moderne që ofron UShAF, si dhe programeve të studimit që iu ndihmon atyre të bëjnë zgjedhjen e duhur për profesionin që përshtatet me kërkesat e tregut të punës.

Komunat e vizituara gjatë kësaj jave nga stafi i UShAF janë: Prishtinë (Shkolla Ekonomike, Gjimnazi “Xhevdet Doda”), Gjakovë (Gjimnazi “Hajdar Dushi”), Kamenicë (Gjimnazi “Ismail Qemali”, SHMLP “Andrea Dursaku” dhe Shkolla e Mesme e Lartë “Sejdi Kryeziu”), Prizren (Shkolla e Mesme Teknike “11 Marsi”, Gjimnazi “Gjon Buzuku” dhe Qendra e Kompetencës), Suharekë (Shkolla e Mesme Teknike “Skënder Luarasi”), Malishevë (Gjimnazi “Hamdi Berisha” dhe Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”).

Gjatë ditëve në vijim stafi i UShAF do të vazhdojë të informoj maturantët edhe në komuna dhe shkolla të tjera të Kosovës, ndërsa nga data 17 Maj Universiteti organizon aktivitetin 3 ditor “Open Doors” për të pritur të rinjtë e Kosovës dhe më gjerë, të cilët do të informohen për së afërmi me të gjitha mundësitë që ofron Universiteti ynë.

Programet e studimit të UShAF janë unike dhe janë hartuar konform kërkesave të tregut të punës. Studentët të cilët studiojnë në UShAF, kanë plotësuar kërkesën e tregut të punës dhe tanimë janë bërë pjesë e shumicës së ndërmarrjeve partnere të Universitetit.