Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020/21, sipas të cilit do të pranohen 640 studentë në nivelin e studimeve Bachelor dhe 150 në nivelin e studimeve Master.

Në studimet Bachelor, do të pranohen 529 studentë të rregullt, ndërsa 77 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 8 vende për kandidatët nga Mali i Zi, 13 nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja dhe 13 nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në këtë nivel të studimeve, kandidatët për studentë të UShAF do të kenë mundësi të aplikojnë në programet:

  1. Dizajn Grafik dhe Multimedia
  2. Menaxhment i Turizmit dhe Hotelerisë
  3. Arkitekturë e Interierit dhe Dizajn i Mobileve
  4. Dizajn dhe Konstruksionet e Produkteve të Drurit
  5. Inxhinieri Industriale me Informatikë
  6. Menaxhment Industrial

Ndërsa, në nivelin e studimeve Master, do të pranohen 123 studentë të rregullt, ndërsa 18 vende janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 3 vende për kandidatët nga Mali i Zi, 3 nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja dhe 3 nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Programet në nivelin Master, në të cilat do të mund të aplikojnë kandidatët janë:

  1. Arkitekturë dhe Dizajn i Interierit me Prodhime nga Druri
  2. Inxhinieria dhe Informatika
  3. Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm

Konkursi për të dyja nivelet e studimit, do të jetë i hapur deri me 30 shtator 2020, në ora 16:00, ndërsa aplikimet dhe pranimi i dokumentacionit mund të bëhen çdo ditë (përfishirë edhe ditën e shtunë).

Vegza (Linku) për konkurrim online përmes Internetit është: www.ushaf.net/apliko