Ky 28 Nëntor, na gjeti në dhembje gjithë shqiptarët kudo që jetojmë, për shkak të tragjedisë që shkaktoi tërmeti në Shqipëri. Në këtë ditë të shënuar për kombin, të gjithë ne në Kosovë i kemi sytë, mendjet dhe zemrat në Shqipëri, atje ku njerëzit tanë janë në nevojë.

Por, shqiptarët gjithmonë kanë ditur të jenë së bashku në ditë të shënuara, në gëzime, por edhe në dhembje. Po e dëshmojmë edhe tash, sikur e kemi dëshmuar gjithmonë se jemi një!

Kemi qëndruar bashkë në luftëra, brez pas brezi, dhe kështu i dhamë këtij muaji emrin “Nëntori i Madh”, duke filluar nga Skenderbeu, Ismail Qemaili, Isa Boletini dhe shumë të tjerë, e deri te Adem Jashari dhe të gjithë trimat e luftëtarët e UÇK-së. Në këtë ditë, përkulemi para jetës dhe veprës së secilit që i dha jetë lirisë dhe trojeve shqiptare!

Urime Dita e Flamurit!

Qoftë e bekuar Shqipëria dhe shqiptarët!

Me respekt,

Prof. Dr. Agron Bajraktari, Rektor