Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot mbajti punëtorinë e dytë, të përbashkët me Heras Plus, për ndërtimin e Strategjisë për Digjitalizimet e Universitetit.

Punëtoria u hap nga Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, me fjalë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme që Heras është duke i ofruar UShAF në realizim e projekteve të ndryshme, dhe koordinimin e këtyre aktiviteteve nga Koordinatori Tematik për Arsimin Lartë (Heras Plus), z. Nehat Dervishi. Rektori përgëzoi grupin punues për angazhimin tyre në zhvillimin e Strategjisë, e para e kësaj natyre në nivel shteti, dhe i inkurajoi për punë të mëtejme në këtë proces mjaft sfidues.
Në vijim të kësaj punëtorie, ekspertja e angazhuar nga Heras Plus, Prof. As. Dr. Dhuratë Hyseni prezantoi aktivitetet e realizuara në drejtim të ndërtimit të strategjisë, duke zhvilluar diskutime frytdhënëse me anëtarët e Komisionit për Digjitalizim dhe Sisteme të Informacionit pranë UShAF.
Punëtoria u mbyll nga Prorektorja për Digjitalizim, Inovacion dhe Teknologji të Informacionit Prof. As. Dr. Fakije Zejnullahu, deri në takimin punues të radhës, për finalizim të strategjisë.

This post is also available in: English