Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, sot priti në takim Ministrin e Ministrisë të Zhvillimit Rajonal (MZHR), z. Fikrim Damka, i cili ishte i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, z. Besim Kamberaj.

Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në mes të të dyja institucioneve, në të mirë të zhvillimit të Universitetit për të ofruar kuadro sa më të përgatitura për tregun e punës në Kosovë e më gjerë.

Po ashtu, gjatë takimit u theksua roli dhe rëndësia e UShAF në zhvillimin rajonal, si dhe aktivitetet që mund të realizohen në drejtim të nismës së bashkëpunimit mes tyre.

Rektori Bajraktari falënderoi ministrin Damka dhe shoqëruesit e tij për vizitën, dhe i informoi ata për të arriturat e Universitetit, historikun e tij dhe programet studimore që i posedon.

Ministri Damka, shprehu gatishmërinë për të përkrahur Universitetin në projekte të ndryshme zhvillimore dhe në realizimin e trajnimeve për aftësim të studentëve në shfrytëzim/mirëmbajtje të makinave CNC, dhe trajnimeve tjera, në përgjigje të kërkesave të bizneseve.

Gjatë kësaj vizite, Rektori së bashku me Prorektoren, znj Fakije Zejnullahu, i shoqëruan ata nëpër hapësirat e Universitetit për të parë punën dhe kreativitetin e studentëve dhe kushtet në të cilat organizohen studimet dhe puna në këtë institucion të arsimit të lartë.