Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, bashkë me kryetarin e komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, kanë pritur sot në takim ministren e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë, znj. Rozeta Hajdari.

Qëllimi i këtij takimi ishte krijimi i hapësirave për investitorë gjerman, të cilët janë të interesuar që të investojnë në industrinë metalike.

Me këtë rast, Rektori Bajraktari iu uroi mirëseardhje dhe tha se është kënaqësi për ne që të kemi investitorë të huaj, e sidomos nga Gjermania e Austria, shtete këto nga të cilat jemi inspiruar dhe kemi bashkëpunuar për të bërë UShAF një Universitet të veçantë dhe shumë ndryshe nga universitetet tjera në Kosovë. Gjithashtu, Rektori tregoi bashkëpunimin e ngushtë që ka me industrinë, gjë që sipas tij ka ndikuar shumë që për fushat e studimit që kemi, të jemi liderë në vendin tonë. Rektori, në mes tjerash, përmendi edhe faktin se një pjesë e madhe e studentëve Alumni janë të punësuar në kompani të shumta kombëtare e ndërkombëtare, e që është një tregues i mirë që Universiteti ynë po nxjerr kuadro profesionale dhe kjo është një ndihmesë e madhe për tregun e punës.

Ministrja Hajdari falënderoi Rektorin dhe Kryetarin për pritjen dhe organizimin e shpejtë të këtij takimi dhe tha se është e hapur të bashkëpunojë me UShAF dhe shkollat teknike të Ferizajt për të ndihmuar investitorët gjerman.

Ndërsa, Kryetari Aliu tha se investimet e tilla janë shumë të mirëpritura në komunën e Ferizajt, për të cilët tanimë ka ndarë hapësira ku mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ai poashtu u zotua se do të bashkëpunojë me ta me qëllim të realizimit sa më të mire të projektit të planifikuar.

Drejtori i Shkollës Teknike, z. Isuf Çalaj premtoi gatishmëri për bashkëpunim në realizimin e projekteve të investitorëve gjerman të cilët janë të bindur se rinia kosovare me kapacitetet që posedojnë por edhe i zhvillojnë mëtej gjatë studimeve, do të mund të ndihmojnë në zhvillim sa më të mirë të industrisë kosovare.

This post is also available in: English