Në kuadër projektit për mobilitet të stafit akademik të ERASMUS +, Prorektori për Mësim, Shkencë dhe Çështje të Studentëve në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. As. Dr. Rrahim Sejdiu, gjatë këtyre ditëve është duke mbajtur ligjërata në Fakultetin e Arkitekturës, përkatësisht në departamentin e Dizajnit të Interierit pranë Universitetit të Menxhmentit dhe Teknologjisë në Varshavë të Polonisë.

Ligjëratat e tij janë të fokusuara kryesisht në fushën e dizajnit dhe të prodhimit të mobilieve dhe po përcillen me shumë interes nga studentët e pranishëm.

Veç kësaj, Prorektori Sejdiu, në kuadër të kësaj vizite ka takuar Prorektorën për Marrëdhënie me Jashtë, njëherit koordinatore institucionale për Erasmus+, Dr. Justina Klys dhe Prodekanën e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Menaxhmentit, Dr. Katarzyna Adamiak, me të cilat biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy universiteteve. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, Prorektori Sejdiu është takuar edhe me kryetarin e komunës Plonsk, z. Andrzej Pietrasik me të cilin kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit të kësaj komune dhe Universitetit në fushën e energjisë së ripërtritshme.

Vlenë të theksohet se në kuadër të projektit ERASMUS+, një numër i konsiderueshëm i studentëve të UShAF kanë ndjekur mësimet për një semestër në këtë Universitet dhe aktualisht studimet është duke i ndjekur Liridona Bytyçi, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Departamenti i Dizajnit dhe Konstruksioneve të Produkteve nga Drurit.