Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) përdor teknologji dhe laboratore moderne, duke krijuar kështu një infrastrukturë efikase për kërkime shkencore. Aktivitetin shkencor, Universiteti, normalisht, e përqëndron në fusha të ndryshme, po që janë të rëndësishme dhe në përputhje me programet e studimit. Kjo i mundëson Universitetit të koncentrohet në cilësitë që e shquajnë dhe në këtë mënyrë të konkurojë me efikasitet në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Laboratorët, në kuadër të fakulteteve, janë të pajisur me teknologjinë më të sofistikuar, që jo vetëm mundësojnë realizimin e punës praktike dhe shkencore, por edhe përvetësimin sa më të mirë të programeve studimore.

Laboratori i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit është i pajisur me makineri tradicionale dhe me ato më moderne, të njohura si “CNC” (“Computer Numerical Control”). Këto pajisje përdoren nga studentët për prodhimin e produkteve të interierit. Në kuadër të laboratorit është edhe klasa e quajtur “inLAB”, e cila është e pajisur me printerë dhe skanerë modern 3D, të mbështetur me pajisjet e realitetit virtual, të njohura si “VR HeadSet”.

Në UShAF poashtu ofrohen pajisje për matjen e lagështisë së drurit, peshës specifike, tharësen eksperimentale të drurit, pajisje për vrojtimin e qelizave të drurit, si dhe të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme për prodhimin e produkteve të interierit.

Fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës ka katër laboratorë: laboratorin CAD/CAM/CNC, laboratorin e teknikës së përpunimit të metaleve, laboratorin e teknikës së saldimit, dhe laboratorin e energjisë së ripërtëritshme.

Laboratorët janë të pajisur me makineri tradicionale dhe moderne, të njohura si “CNC”, të  cilat shërbejnë për prodhimin e produkteve nga metali. Laboratori i energjisë së ripërtëritshme është i pajisur me sisteme që mundësojnë shfrytëzimin e energjisë diellore me qëllim të përfitimit të energjisë termike për ftohje/ngrohje, si dhe sisteme fotovoltaike për përfitimin e energjisë së dritës.

Ky fakultet ka edhe laboratorin e fizikës dhe kimisë me një numër të mjaftueshëm të mjeteve konkretizuese/aparaturave laboratorike si dhe dy kabinete të informatikës.

Universiteti shumë shpejt do ta ketë laboratorin për prova të materialeve (metaleve dhe jometaleve) si dhe laboratorin e teknologjisë së përpunimit të materialeve polimere – TPMP – Plastmasave.