Agnesa është 22 vjeçe, studente e vitit te tretë në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit në programin Menaxhment në Hoteleri dhe Turizëm pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Agnesa rrëfen: Turizmi ka gërshetuar gjithmonë pjesën e hobit dhe pasionet e mia nga ana profesionale, dëshirën për të njohur gjuhët e huaja dhe ëndrrën për një profesion unik.

Duke filluar që nga vitet e para të shkollimit të ulët kam arritur të mësojë të flasë rrjedhshëm gjuhën angleze, e cila ka formuar një bazë të fortë plotësuese për gjuhët e tjera, Gjuhën Gjermane, Frënge dhe atë Spanjolle, e muajt e fundit kam arritur të njohë mjaftë mirë edhe gjuhën Turke.

Si arsye tjetër që ishte poashtu edhe shtysë për aplikimin tim në këtë universitet, duke mu dukur mundësi shumë e mirë, është dëshira për të udhëtuar dhe parë Botën, duke mos e anashkaluar dhe mendimin se një punë në industrinë e Turizmit mund të jetë shumë emocionuese, aventureske dhe madje mund të paguhet mirë.

Gjatë këtyre tre viteve të studimeve në UShAF më janë ofruar të gjitha mundësitë, që rrugëtimi im si studente e Turizmit të ishte i përmbushur, pa ngecje dhe me përfundim të suksesshëm.

Turizmi është një industri në rritje dhe asnjëherë nuk mund të themi se jemi mjaftuar me informacione, por gjithësesi mund të them se kam mësuar shumë rreth kësaj industrie, sa e gjerë është dhe sa shumë ofron. Kam mësuar shumë poashtu rreth menaxhimit të Turizmit dhe bizneseve që lidhen ngushtë me të. Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, u jam mirënjohëse profesorëve tanë, që dhanë shumë nga vetja për ne.

Falë stafit të mrekullueshëm të UShAF, punës së palodhshme, angazhimit maksimal dhe dëshirës së tyre për të nxjerrë profesionist nga Universiteti, unë sot gëzoj dhe vendin e punës, si agjente e shitjes në një agjension turistik të sukseseshëm dhe serioz, diçka e fituar nga bagazhi i mirë i punës teorike dhe praktike në UShAF.

MASTER TRAVEL, është një agjesion turistik i themeluar në fund të vitit 2015 nga një ekonomist i dalluar, me pronar Z. Arben Selmani. Fushëveprimi i këtij agjensioni është turizmi dhe shitja e biletave të ndryshme të udhëtimit. Fillimishit është hapur në qytetin e Vitisë, e pastaj pas 4 viteve të suksesshme dhe rritjes së klientelës, pronari ka hapur edhe pikën e dytë në qytetin e Gjilanit.