Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u mbajt aktivitet sensibilizues për muajin Rozë, organizuar nga komuna e Ferizajt – Sektori i Rinisë së Komunës së Ferizajt, në bashkëpunim me UShAF.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm deputetë nga Kuvendi i Kosovës, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt, Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Ferizajt, Kryeshefi i QKMF në Ferizaj, stafi akademik dhe administrativ, si dhe studentët e UShAF.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderoi të gjithë të pranishmit që iu bashkuan këtij aktiviteti sensibilizues, për të përkrahur kategorinë e prekur nga kanceri i gjirit, e në veçanti falënderoi sektorin e rinisë së kësaj komune dhe tha se ky bashkëpunim do të jetë i hapur për çdo iniciativë që ndikon drejtpërdrejtë në të mirën e qytetarëve të Ferizajt dhe më gjerë. Poashtu Rektori u shpreh i kënaqur që ky aktivitet kaq i rëndësishëm i muajit Rozë, filloi në institucionin që e përfaqëson ai. Ndër tjerash, Rektori shprehu mirënjohje të madhe për mantelbardhët të cilët po bëjnë një punë të madhe në zvogëlimin e rasteve të prekura nga kjo sëmundje, po edhe punën e palodhshme që kanë bërë gjatë kohës së pandemisë, duke i quajtur ata heronjë të gjallë të kohës në të cilën po jetojmë. Të gjithë atyre që përballen me këtë sëmundje, Rektori iu uroi shërim sa më të shpejtë, duke dëshiruar që në të ardhmen të ketë sa më pak raste të prekura nga kjo sëmundje.

Nga radha e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, fjalën e mori Besa Ismaili, e cila ndër tjera, këshilloi gjininë femërore që të kujdeset më shumë për shëndetin për shkak të parandalimit të kësaj sëmundje.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, Drejtori i Shëndetësisë, Bekim Ademi dhe Kryeshefi i QKMF-së në Ferizaj, Albert Sherifi, duke theksuar rëndësinë e muajit tetor si muaj i vetëdijësimit për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, bënë thirrje që të bëhen kontrolla më të shpeshta, me qëllim të zbulimit të sëmundjes, në faza të mëhershme dhe në këtë mënyrë të parandalohet përhapja e saj.