Kuvendi i Kosovës ka miratuar Statutin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe të tri Universiteteve tjera publike të Kosovës.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari tha se është lajm shumë i mirë për UShAF, sepse tanimë universiteti është i kompletuar edhe më shumë me bazë ligjore. Ai uroi studentët, stafin akademik e administrativ dhe falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në hartimin e Statutit. Po ashtu, ai uroi edhe universitetet tjera të cilat morën miratimin e Kuvendit për statutet e tyre.

Ndërsa, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj uroi të katër universitetet dhe tha se statutet e tyre janë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë, pasi që kanë kaluar të gjitha procedurat e nevojshme për miratim. “Statutet e universiteteve publike janë në përputhje me Ligjin mbi Arsimin e Lartë. Përmbajtja e këtyre statuteve është e njëjtë dhe përcaktohet nga 215 dhe 243 nene, derisa i kanë kaluar të gjitha procedurat që obligohen me ligj dhe dëgjimet publike”, tha ministri Likaj.